Muzeu i Muzikës në Gjakovë është djegur të mërkurën mbrëma, e për këtë ka reaguar ashpër entomuzikologu, Behar Arllati.
Arllati nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetet sociale, me plot mllef ka thënë se barbarët nuk u ndalën duke e shkatërruar derisa e dogjën të tërën. Këtë objekt, ai ritheksoi se e dogjën barbarët, gjakovarët të cilët dinë veç të rrahin gjoks pa bërë gjë.
Më tej, Arllati ka thënë se këtë objekt apo ‘krijesë’ siç e ka quajtur ai e krijuan me shumë mund nën mbështetjen e profesorit Meriton Ferizi sa ishte drejtor komunal për kulturë. Ky objekt u rivitalizua me 2012, derisa me 2014 u bë projekti që ta kthehet në Muze të Muzikës.
“Kjo barbari e kafshëri e bërë nga ne, flet qartë se ne jemi larg civilizimit europian. Madje edhe larg mënyrës fisnore të jetesës afrikane”, ka theksuar ai.
Krejt ata që e shkatërruan këtë objekt, Arllati ka thënë i mbuloftë turpi.
Ky është postimi i plotë i tij:
Ma dogjën krijesën time.
Barbarët s’u ndalën. E thyen, e vodhën e plaçkitën gjithë çka kishte brenda, e tjetërsuan si objekt, ia hoqën shkallët që të mos kishte mundësi të ngjitej lart njeri dhe më në fund, e dogjën barbarët, e dogjën gjakovarët që dinë veç të rrahin gjoks pa bërë gjë, e dogjën krijesën që me aq mund e krijova nën mbështetjen e Prof. Meriton Ferizi sa ishte drejtor komunal për kulturë.
Një objekt që u rivitalizua më 2012, me 2014 bëra projektin që ta ktheja në Muze të Muzikës.
E furnizuam me ish-nxënësin tim Meritonin, shembull të profesionistit, me tekste, libra të vjetër, fotografi të rralla të vjetra, instrumente lloj-lloj të vjetra, partitura, shirita të vjetër magnetofoni, kaseta të dikurshme me shirita, instrumente muzikore të dëmtuara gjatë luftës së vitit 1999 që tregonin barbaritë serbe por kjo barbari, tejkaloi çdo barbari të serbëve. Kjo barbari e kafshëri e bërë nga ne, flet qartë se ne jemi larg civilizimit europian. Madje edhe larg mënyrës fisnore të jetesës afrikane. Ky akt flet se ne s’e duam vetveten, se ne s’e durojme suksesin e Beharit e Meritonit apo të tjereve. Sepse ka penguar dikë që të përfitojë, se ne jemi armiq të vetës tonë.
E dogjët një krijesë që me aq mund e ngritëm në këmbë. As qeveria komunale e Mimoza Kusarit e as kjo e Ardian Gjinit s’qe në gjendje të ndajë dy-tre paga si mbikëqyrje të Muzeut.
Turpi s’hahet me bukë perveç se në Gjakovë. Kriminelët s’do t’i mbulojë dheu.
Ma dogjët krijesën o të Poshtër.
TURP E FAQJA E ZEZE E TURPI JU MBULOFTË O BARBARË.
ObserverKult
Lexo edhe:
NDËRTESA GATI 100-VJEÇARE SHNDËRROHET NË MUZE UNIK NË KOSOVË
Kosovës po i shtohet një muze unik. Bëhet fjalë për Hidroelektranën. Ndërtesë kjo në qytetin e Prizrenit, e cila ka pothuaj 100 vjet jetë.
Lajmin për muzeun e bëri të ditur në rrjetet sociale, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, sot është në fazën e fundit të restaurimit”. Kështu është shprehur ministri Çeku.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult